21 shtator, 2018 – Ndeshja hapëse e javës së 6-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, ndërmjet Ballkanit dhe Trepçës’89 që u zhvillua sot në Therandë, ka përfunduar pa fitues dhe pa gola (0:0). Në pjesën e parë vendasit ishin më të mirë dhe krijuan disa raste shënimi, por nuk arritën të konkretizojnë asnjërën prej tyre. Ndërkohë, në pjesën e dytë Ballkani mbeti me një lojtar më pak në fushë pasi gjyqtari Genc Nuza e përjashtoi Egzon Shabanin për shkak të goditjes së lojtarit mysafir, Orges Gava. Epërsia numerike në fushë ia dha mundësi mitrovicasve që në vazhdim të lojës të ishin më kërkues, por jo edhe për t’u shfaqur aq të rrezikshëm para portës së Ruxhit. Nesër zhvillohen tri ndeshje tjera të javës së 6-të, derisa kjo javë mbyllet me dy duelet që luhen të dielën.