28 shtator, 2018 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 7-të në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Trepça ’89 dhe Drenica kanë shënuar fitore të rëndësishme para tifozëve të vet. Drenica e mposhti Ballkanin në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, me rezultat 2:1. Golat për kuqezinjtë e Skenderajt i realizuan Uran Shala (autogol) dhe Uka, derisa golin e vetëm për Ballkanin e shënoi Jetmir Topalli. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër Trepça’89 e mundi Ferizajn, me rezultat 1:0, me golin e shënuar nga Renato Hyshmeri, në sekondat e fundit të pjesës së parë. Ferizajasit që nga minuta e 34-t luajtën me një lojtar më pak në fushë.