1 tetor, 2018 – Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave nesër do ta zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019, që do të mbahet në Skoci. Vashat e drejtuara nga përzgjedhësi Kushtrim Munishi tash e tri ditë ndodhen në Belfast të Irlandës së Veriut, aty ku do të luhen ndeshjet kualifikuese të grupit 9, ku krahas Kosovës bëjnë pjesë edhe Irlanda e Veriut, Gjermania dhe Estonia. Fati deshi që qysh në ndeshjen e parë Kombëtarja jonë të ballafaqohet me favoriten e këtij grupi, Gjermaninë, ndeshje e cila do të luhet nesër në orën 14:00 sipas orës lokale në Belfast. Kombëtarja jonë sot e ka mbajtur stërvitjen e katërt dhe atmosfera në grup është shumë e mirë, derisa vashat po e japin maksimumin në stërvitje. Në përkrahje të vashave këtu në Belfast ndodhet edhe presidenti Agim Ademi, i cili në vazhdimësi e ka përkrahur zhvillimin dhe përparimin e futbollit të femrave. Ai e ka ndjekur nga afër edhe stërvitjen e sotme së bashku me anëtarët e Komitetit Ezekutiv, Vjollcë Krasniqi dhe Xhelal Broja, si dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu. Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Munishi me asistentët e tij, Megzon Visoka e Labinot Qosa punuan në aspektin tekniko-taktik, duke dhënë instruksionet e qarta për futbollistet për duelin me gjermanet, të cilat pa dyshim janë rivale tejet të forta. Gjendja e futbollisteve është shumë e mirë, me përjashtim të Gjenifer Pjetrit, e cila me këshillën e stafit mjekësor ka stërvitur e diferencuar me disa vrapime të lehta, pasi ende nuk është shëruar plotësisht nga lëndimi. Ndërkohë, brengosës është fakti se krejt në fund ka dështuar edhe udhëtimi i dy lojtarëve shumë cilësore,
ku  Anita Racaj dhe Sabrije Krasniqi. Sidoqoftë, stafi i Kombëtares U19 ka besim tek lojtaret që ka në dispozicion dhe shpreson se ato do të japin më të mirën e tyre.

Deklaruan pas stërvitjes
Kushtrim Munishi: Nesër na pret një ndeshje tepër e vështirë, pasi kemi të bëjmë me një kundërshtar si Gjermania. Por, ne besoj që jemi përgatitur shumë mirë për këto kualifikime si në Prishtinë, ashtu edhe këtu në Belfast. Jam i bindur se futbollistet tona do të jenë maksimalisht të përkushtuara që ato gjëra që i kemi bërë në stërvitje t’i zbatojnë në fushë. I njohim cilësitë e gjermaneve, por ne e kemi përgatitur lojën mirë dhe tash mbetet të shohim se çfarë do të prodhojë loja.
Leonora Ejupi: Kemi punuar shumë mirë gjatë këtyre ditëve në stërvitje. Harmonia në ekip është shumë e mirë dhe jam e bindur se secila lojtare që do të luajë do ta japë maksimumin në fushë. Gjermania është kombëtare gjigante, por ne do të mundohemi t’i befasojmë.
Verona Berisha: E kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë si fizikisht ashtu edhe faktikisht, por edhe ne jemi përgatitur shumë mirë, pasi trajnerët kanë punuar me përkushtim të madh. Shpresoj se nuk do ta zhgënjejmë me lojë e me rezultat as presidentin e federatës dhe krejt stafin që ka ardhur për të na mbështetur.