6 tetor, 2018 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 9-të në IPKO Superligë. Prishtina ka shënuar fitore para tifozëve të vet në stadiumin “Fadil Vokrri” në duel me Llapin, me rezultat 2:1. Deri te kjo fitore e rëndësishme bardhekaltrit e kryeqytetit arritën pas përmbysjes së rezultatit. Fillimisht mysafirët i kaloi në epërsi Behar Maliqi, në minutën e 10-të. Shifrat i barazoi Basit Khalid, në minutën e 60-të, derisa fitoren Prishtinës ia siguroi Marjo Morina, me golin e shënuar në minutën e 90-të.  Skuadra lidere, Feronikeli shënoi fitore pa ndonjë vështirësi në përballje me KEK-un, me shifrat 4:1. Ndërkohë, në dy ndeshjet e tjera kanë fituar skuadrat udhëtuese, ku Drita e ka mposhtur Drenicën, 2:1, me golat e shënuar nga Bujar Shabani e Xhevdet Shabani, teksa golin e vetëm për drenicasit e ka realizuar Taulant Dajaku nga penalltia. Në anën tjetër, Ferizaj ka arkëtuar tri pikë të mëdha në Suharekë, duke e mundur Ballkanin 1:0.