7 tetor, 2018 – Kombëtarja U19 – femrat ka mbajtur sot stërvitjen e fundit në Irlandën e Veriut para ndeshjes me Estoninë, në kuadër të grupit 9 të kualifikimeve për Evropianin 2019. Barazimi me Irlandën e Veriut në ndeshjen e dytë ka bërë që të rritet entuziazmi në ekipin tonë. Tani fitorja me rezultat bindës kundër estoneve mund t’ia sigurojë Kombëtares tonë kualifikimin në rrethin elitë. Përkushtimi i vashave në stërvitje ka qenë maksimal, derisa atmosfera është jashtëzakonisht e mirë. Megjithatë, kundër Estonisë do të mungojë portierja Florentina Kolgeci, e cila pësoi lëndim në gju në ndeshjen e kaluar dhe tani i duhet rikuperim disa javor. Dëshira e të gjitha vashave është që kundër Estonisë të arrihet fitorja dhe kualifikimi tutje, në mënyrë që ky sukses t’i dedikohet pikërisht bashkëlojtares së tyre. Gjatë stërvitjes së sotme përzgjedhësi Kushtrim Munishi është përqendruar kryesisht në lojën sulmuese, duke pasur parasysh faktin se në ndeshjen e nesërme nevojitet fitore sa më bindëse, mirëpo njëherësh ua ka tërhequr vëmendjen lojtareve që të kenë kujdes edhe në repartin e mbrojtjes dhe të luajnë pa presion. Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Estonisë zhvillohet nesër në orën 13:00 sipas kohës në Belfast.
Deklaruan pas stërvitjes
Kushtrim Munishi: Tani i gjithë fokusi ynë është që në ndeshjen e fundit të arrijmë fitore dhe atë me rezultat bindës. Kemi gjasa për kualifikim në rrethin elitë dhe do të bëjmë çmos që ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Lëndimi i portieres Kolgeci pa dyshim se është hendikep për ne, por besoj tek cilësitë e vashave. Normalisht se as Estonia nuk është rival i lehtë, por ne e kemi përgatitur mjaft mirë lojën dhe nëse vashat i zbatojnë detyrat dhe luajnë pa nguti, atëherë nuk dyshoj tek fitorja.
Kaltrina Biçkaj: Pas dy ndeshjeve kundër Gjermanisë dhe Irlandës së Veriut jemi komponuar më mirë dhe mendoj që loja jonë ka progres. Kemi punuar shumë gjatë këtyre dy ditëve për t’u përgatitur sa më mirë për duelin me estonet. Do të luftojmë të arrijmë fitore dhe po shpresojmë se do të kualifikohemi. Sa herë që e veshë këtë fanellë  ndihem krenare që e përfaqësoj Kosovën dhe çdo herë e jap maksimumin.
Argnesa Rexhepi: Jam e bindur se kemi ekip më cilësor dhe Estonia dhe këtë do ta tregojmë nesër në fushën e lojës. Jemi afër për t’ia arritur qëllimit, andaj shpresoj të luajmë si ekip dhe t’i bëjmë krenar familjet tona dhe mbarë popullin tonë. Jam e lumtur që jam pjesë e këtij grupi të shkëlqyeshëm dhe  krenare që e përfaqësoj Kosovën. Po ashtu e falënderoj familjen time, pa përkrahjen e të cilëve nuk do të isha këtu ku jam sot.