11 tetor, 2018 – Kombëtarja e Kosovës ka shijuar edhe festën e dytë në kuadër të Ligës së Kombeve. “Dardanët” kanë fituar në ndeshjen kundër Maltës, me rezultat 3:1, në një atmosferë të shkëlqyeshme në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke u konfirmuar e vetme në pozitën e parë në Grupin 3 të Ligës D. Një ndeshje që dhuroi emocione e spektakël në fushë e tribuna, me djelmoshat tanë që luajtën me mençuri dhe pa entuziazëm të tepruar, duke e ditur nga fillimi i ndeshjes se nuk duhet të gabojnë, por duhet të marrin pikët maksimale në shtëpinë e tyre përballë një rivaleje që në letër mund të dukej e lehtë, por që me lojën e saj dinë t’ia vështirësojë gjërat kundërshtarit. Tifozët në tribuna edhe një herë dëshmuan kulturë të lartë sportive, derisa përgjatë tërë minutës së 9-të e nderuan me duartrokitje frenetike ish-presidentin Fadil Vokrri. Djelmoshat tanë e mbizotëruan lojën që nga fillimi, por Edon Zhegrova (12’) dhe Muriqi (29’) nuk arritën të shënojnë në dy mundësi të mira. Megjithatë, rezultati u zhbllokua në minutën e 30-të kur Benjamin Kololli hyn nga e djathta në zonë dhe me gjuajtje të saktë e dërgon topin në rrjetë pas asistimit të Valon Berishës. Deri në fund të pjesës së parë “Dardanët” krijuan edhe dy raste të pastra shënimi, por fillimisht Zhegrovës golin ia mohoi shtylla, derisa më pas Muriqi me kokë dështon nga afërsia. Pjesa e dytë nisi më mirë për skuadrën mysafire, kur në minutën e 51-të barazuan shifrat me golin e Agius me kokë, i cili shfrytëzoi një top të harkuar nga këndorja. Mirëpo, ky gol nuk i  demoralizoi djelmoshat tanë, që krijuan raste të njëpasnjëshme, e ku Zhegrova sërish ishte i pafat në minutën e 65-të, kur sërish e qëlloi shtyllën. Megjithatë, tre minuta më vonë Muriqi shpërtheu me gol, me gjuajtje nga brendësia e zonës. Ky gol ia mundësoi ekipit tonë që të luajë më qetë dhe pas disa aksioneve të rrjedhshme arriti të shënojë edhe golin e qetësisë dhe të rezultatit përfundimtar 3:1. Ishte sërish Kololli, i cili, shënoi në minutën e 81-të, që shfrytëzoi asistimin e shkëlqyeshëm të Rashicës. Malta që nga minuta e 70-të luajti me një lojtar më pak. Tani Kosova ka 7 pikë, dy më shumë se Azerbajxhani, që i mposhti sonte Ishujt Faroe. Pas ndeshjes në zhveshtore për t’i uruar lojtarët për këtë sukses ishin presidenti i FFK-së, Agim Ademi së bashku me kryeparlamentarin, Kadri Veseli dhe sekretarin e përgjithshëm, Eroll Salihu, të cilët edhe njëherë përgëzuan djemtë për karakterin që po tregojnë në fushë dhe që po e bëjnë krenar tërë kombin. Ndeshjen e radhës Kosova e zhvillon si mysafire kundër Ishujve Faroe më 14 tetor.
Kosova – Malta 3:1 (1:0)
Stadiumi “Fadil Vokrri”  Prishtinë.
Shikues: 13000
Gjyqtarë: T.Bognar, N. Buzas, Th.Georgieu e P. Kobor.
Shënues: Kololli (30′ e 81′) e Muriqi (68′) për Kosovën – Agius (51′) për Maltën.
Kartonë të verdhë: Kryeziu e Kastrati të Kosovës – Mifsud, Pisani e Agius të Maltës
Karton i kuq: Mifsud (pas 2 të verdhëve)
Kosova: Ujkani, Aliti, Shala, Kryeziu, Zeneli (Rashica), Rrahmani, V. Berisha(Halimi), Vojvoda, Kololli, Muriqi (Kastrati) e Zhegrova.
Malta: Hogg, Mbong, Borg, Agius, Fenech, Mifsud, Schrmbri, Muscat, Failla, Corbolan e Apap.