12 tetor, 2018 – Kombëtarja U21 në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Izraelit, që do ta zhvillojë, më 16 tetor, në Tel-Aviv, sot ka zhvilluar një ndeshje testuese me skuadrën e IPKO Superligës, Trepça’89, e cila u mbyll me fitoren e “Dardanëve” të rinj, me rezultat 2:0. Përzgjedhësi Rafet Prekazi në këtë ndeshje i inkuadroi në lojë të gjithë futbollistët. Natyrisht se rezultati në këtë takim nuk ishte i rëndësishëm për asnjërën skuadër, por qëllimi ishte që të provohen skema të ndryshme në lojë dhe t’u jepej mundësia lojtarëve për t’u dëshmuar. Pjesa e parë u mbyll pa gola, derisa në pjesën e dytë në të cilët luajtën kryesisht prurjet e reja në Kombëtaren U21 u shënuan dy gola. Fillimisht shënoi Edmond Ramadani me një gjuajtje të fortë nga distanca, derisa më pas realizoi edhe Arbnor Muja. Përzgjedhësi Prekazi në përgjithësi ishte i kënaqur me atë çfarë treguan futbollistët në këtë ndeshje dhe u shpreh i bindur se në duelin kundër izraelitëve angazhimi i tyre do të jetë maksimal. Do theksuar se para kësaj ndeshjeje stafi i Kombëtares U21 dhe një pjesë e futbollistëve kanë shkuar për t’i shprehur ngushëllime familjes Jusufi, e cila para dy ditësh humbi aksidentalisht djalin e tyre 11-vjeçar, Xhevatin, i cili ishte futbollist i Shkollës së Futbollit “Lushta” në Mitrovicë. Ndërkohë, ekspedita e Kombëtares U21 nesër në mbrëmje do ta marrë rrugën drejt Tel-Avivit, ku shpreson ta mbyllë ciklin e saj të parë kualifikues me paraqitje dinjitoze dhe rezultat pozitiv.