Mbrëmë, Kombëtarja jonë, hodhi një hap tjetër drejt realizimit të ëndrrës së madhe. Paraqitja e shkëlqyeshme e djelmoshave tanë dhe fitorja kundër Maltës edhe një herë tjetër na bëri krenarë të gjithëve, të madh e të vogël, duke na e rritur entuziazmin për suksese të reja. Ajo që spikati kësaj radhe dhe që u evidentua edhe nga UEFA, ishte organizimi për lakmi i ndeshjes, me çka dëshmuam se tashmë kemi fituar edhe përvojën e duhur për ndeshje ndërkombëtare. Sjellja e “Dardanëve” dhe të të gjithë të pranishmëve tjerë, si dhe spektakli i krijuar prej tyre sërish u dha forcë dhe kurajë futbollistëve në fushë për të dhënë më të mirën dhe për ta arritur objektivin e tri pikëve të reja. Njëherësh, sjellja e tyre shembullore, si dhe organizimi i mirë nga ekipi organizativ i FFK-së, në bashkëpunim me Policinë dhe kompaninë e sigurimit bëri që sot të marrim raportin pozitiv dhe përgëzues nga UEFA.
Pra, gjithçka ishte në nivelin e duhur dhe ashtu edhe siç e kishim planifikuar, prandaj në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, dua të falënderoj nga zemra futbollistët në fushë për angazhimin maksimal dhe për djersën e derdhur në arritjen e fitores së radhës, stafin teknik të kombëtares për punën e shkëlqyeshme, pastaj ekipin organizativ të FFK-së, Policinë e Kosovës dhe Kompaninë e Sigurimit “Besa Security” që u përkujdesen në detaje që mbarëvajtja dhe siguria e të pranishmëve në stadium të jetë në nivelin më të lartë. Gjithsesi, falënderoj të gjithë qytetarët që ishin të pranishëm në stadium dhe që me animin e tyre korrekt edhe një herë e vërtetuan se jemi popull futbolldashës dhe me kulturë evropiane. Po ashtu, shpreh keqardhje për të gjithë qytetarët që mbrëmë do të kishin dëshirë të ishin në tribuna të stadiumit, por që nuk arritën të pajisen me biletë. Interesimi i madh për ta ndjekur dhe përkrahur Kombëtaren e Kosovës e rikonfirmon atë që e kemi thënë edhe më parë se na duhet një stadium me kapacitet shumë më të madh, sepse edhe në të kaluarën por edhe tash po dëshmohet se populli i Kosovës jeton me futbollin dhe e përjeton atë si një lojë që i dhuron emocion dhe krenari.
Edhe një herë ju falënderoj nga zemra dhe na priftë e mbara në ndeshjet e ardhshme drejt realizimit të ëndrrës së madhe – kualifikimit në Kampionatin Evropian

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së