12 tetor, 2018 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka vizituar sonte në mbrëmje Kombëtaren U21, e cila është e akomoduar në hotelin “Internacional” në Prishtinë, para nisjes për në Izrael. Me këtë rast presidenti Ademi ia shprehu përkrahjen e parezervë edhe stafit dhe futbollistëve të Kombëtares U21, të cilët me paraqitjet e tyre në ciklin e parë kualifikues për Evropianin 2019 e kanë mahnitur jo vetëm opinionin tonë, por edhe më gjerë. Presidenti Ademi theksoi se lojërat e mira dhe fryma sportive që kanë treguar futbollistët e Kombëtares U21 është lavdëruar edhe nga zyrtarët e UEFA-s dhe të federatave të ndryshme evropiane. Ai theksoi se është e rëndësishme që tashmë kemi krijuar ekipet zinxhir dhe futbollistët do ta kenë më të lehtë t’i dëshmojnë cilësitë e tyre nëpër të gjitha grupmoshat për të arritur në fund edhe te Kombëtarja A. Presidenti Ademi uroj stafin dhe futbollistët për rezultatet e deritashme dhe iu dëshiroj fat dhe sukses edhe në ndeshjen përmbyllëse të këtij cikli kualifikues kundër Izraelit.