16 tetor, 2018 – Kombëtarja U21 e ka mbyllur me humbje ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian 2019, pasi sonte në stadiumin “Ramat Gan” në Tel-Aviv është mposhtur nga Izraeli, me rezultat 3:0. Ashtu sikurse në ndeshjen e parë në stadiumin “Adem Jashari”, edhe në ndeshjen e sotme, izraelitët shfrytëzuan rastet dhe në fund fituan me rezultat bindës. Në anën tjetër, djelmoshat tanë në pjesën e parë patën një paraqitje të zbehtë dhe pësuan dy gola të lehtë. Vendasit kaluan në epërsi qysh në minutën e 10-të, kur Qaiis Ghanem shënoi pasi doli i vetëm para Smakiqit. I njëjti futbollist u tregua i rrezikshëm edhe në minutën e 38-të, por portieri ynë reagoi si duhet. Një minutë më vonë Jashari depërtoi nga krahu i majtë dhe e shërbeu Dakun, por ky i fundit nga brendësia e zonës gjuajti pranë portës. Ndërkohë, në sekondat e fundit të pjesës së parë vendasit shënuan sërish kur një top nga ndërprerja e devijoi me gjoks në portën tonë futbollisti më i rrezikshëm i izraelitëve, Qaiis Ghanem.
Pjesën e dytë ekipi ynë e nisi dukshëm më mirë, duke e qarkulluar më mirë topin dhe duke qenë më kërcënues për portën e vendasve. Megjithatë, pikërisht në periudhën kur tanët këmbëngulnin për ta ngushtuar epërsinë, Izraeli shënoi edhe golin e tretë. Ishte minuta e 72-të, kur pas një kundërsulmi të shpejtë Yonotan Cohen shërbeu Yosef Raz Meier, i cili nuk gaboi i vetëm para Smakiqit, duke vulosur shifrat përfundimtare të ndeshjes, 3:0.
Do theksuar se edhe në Izraelin e largët, kombëtarja jonë pati mbështetje nga disa bashkatdhetarë tanë, në mesin e të cilëve ishte edhe gazetari ynë i njohur Nebi Qena, i cili së bashku me familje dhe disa kolegë kishte udhëtuar nga Jerusalemi për t’i përkrahur djelmoshat tanë. Ndërkaq, në mesin e të pranishmëve në stadium ishte edhe një vajzë e re izraelite, e cila ishte mbështjellë me flamurin tonë. Ajo na tregoi se është tifoze e Kosovës, pasi të dashurin e ka nga Kosova dhe thuajse është e pranishme në çdo stadium ku luajnë “Dardanët”.

Deklaruan pas ndeshjes:
Rafet Prekazi: “Në pjesën e parë kemi luajtur dobët, sidomos na ka munguar loja kolektive dhe kjo na kushtoi me pësimin e dy golave. Në pjesën e dytë bëmë disa ndryshime dhe dolëm në lojën tonë, ashtu siç kemi luajtur në ndeshjet e tjera si kolektiv. Megjithatë, ne edhe pse krijuam disa raste nuk arritëm t’i shfrytëzojmë, derisa izraelitët ashtu sikurse në Mitrovicë i konkretizuan rastet që iu ofruan. Gjithsesi lojtarët duhet ta kenë parasysh se lojën individuale nuk e lejoj në kombëtare. Tash do të kemi edhe ndryshimin e gjeneratës dhe disa prej lojtarëve që e bartën barrën kryesore në këtë cikël kualifikues nuk do të jenë më me ne. Sidoqoftë, mendoj se në përgjithësi në këtë cikël kualifikues kemi lënë përshtypje të mirë”.

Florent Hasani: E nisëm pjesën e parë dobët dhe i pranuam dy gola të lehtë. Në pjesën e dytë filluam ta luajmë lojën tonë, por ishte vonë. Pranuam gola nga gabimet, derisa nuk arritëm t’i shfrytëzojmë rastet që i patëm.