Kombëtarja e Kosovës U-17 ka shënuar fitore tejet të rëndësishme përballë Zvicrës, me rezultat 1:0, në kuadër të Grupit 5 për kualifikimet e Evropianit 2019 që po mbahen në Qipro. Pas ndeshjes së parë në të cilën janë mundur nga Skocia, 1:2, kësaj radhe të përzgjedhurit e Besnik Kollarit krahas lojës së mirë kanë arritur të arkëtojnë edhe pikët e plota. Golin e fitores së madhe për “Dardanët” e rinj e ka shënuar Valon Zumberi, në minutën e 63-të. Në ndeshjen e fundit Kombëtarja U17 do të luajë përballë Qipros, kombëtare e cila në ndeshjen e parë kishte humbur 0:3 nga Zvicra, derisa sot ka barazuar 1:1 me Skocinë. Me fitoren e sotme Kombëtarja U17 është në rrugë të mirë për ta arritur suksesin e saj më të madh për kualifikim në raundin tjetër.
Pas ndeshjes përzgjedhësi Besnik Kollari u shpreh i lumtur për fitoren e arritur dhe përgëzoi djelmoshat për angazhimin dhe karakterin e treguar në përballje me helvetikët. “Kjo ishte loja jonë më e mirë deri më tash dhe me plotë meritë iu gëzuam fitores. Ky sukses është meritë e futbollistëve, të cilët e dhanë maksimumin dhe luajtën shkëlqyeshëm. Të fitosh kundër një kombëtarje të fortë si Zvicra pa dyshim është kënaqësi dhe po shihet se puna që kemi bërë po i jep frytet. Përveç golit kemi pasur edhe tri – katër raste tjera, por ajo që është me rëndësi është se pas epërsisë së krijuar e kemi administruar shumë lojën. Gjithsesi, futbollistët duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë, pasi e kemi para vetes edhe një ndeshje shumë të rëndësishme, të cilën duhet ta mbyllim me sukses për ta përmbushur misionin tonë. Qipro është një kundërshtar i fortë dhe këtë dëshmoi edhe në duelin e sotëm me Skocinë, prandaj do të mundohemi ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje”, ka theksuar Kollari.