30 tetor, 2018 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 13-të në IPKO Superligë. Skuadra kampione në fuqi, Drita, ka realizuar fitoren e pestë radhazi, kësaj radhe si mysafire në duel me Flamurtarin, me rezultat 1:0. Golin e fitores për skuadrën e Shpëtim Duros e realizoi Endrit Krasniqi, në minutën e 25-të pas asistimit të Xhevdet Shabanit. Pas kësaj fitoreje Drita ngjitet në pozitën e katërt në kuotën 22 pikëve, derisa Flamurtari zbret në pozitën e pestë më 19 pikë. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren ndërmjet Lirisë dhe Ferizajt, skuadra këto që po përballen me krizë të rezultateve nuk pati fitues. Ndeshja u mbyll me shifrat 0:0. Prizrenasit patën paraqitje më të mirë dhe krijuan disa raste shënimi, madje në minutën e 90-të e gjetën edhe rrugën e rrjetës, por goli i Fetahajt doli të jetë i pavlefshëm për pozitë jashtëloje. Nesër zhvillohen katër ndeshjet e tjera të kësaj jave në të cilat takohen: Feronikeli-Drenica, Llapi-Ballkani, Gjilani-KEK-u dhe Prishtina-Trepça’89.