31 tetor, 2018 – Kanë përfunduar tri ndeshjet të javës së 13-të në IPKO Superligë. Skuadra kryesuese në renditje, Feronikeli, ka shënuar fitoren e radhës, duke e mposhtur Drenicën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat 2:1, duke e siguruar kësisoj pozitën e parë edhe pas kësaj jave. Golat për Feronikelin i shënuan Carioca Da Silva, në minutën e 33-të dhe Kastriot Rexha, në minutën e 79-të, derisa golin e barazimit të përkohshëm për Drenicën e realizoi Osman Mëziu, në minutën e 43-të. Ndërkohë, Ballkani e ka befasuar Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, duke e mundur me rezultat 1:0. Golin e tri pikëve tejet të rëndësishme për skuadrën nga Theranda e realizoi Durim Gashi, në minutën e 70-të. Fitore para tifozëve të vet ka realizuar Gjilani, që e ka mposhtur skuadrën e fundit në renditje, KEK-un, me rezultat 2:0. Wilber Perez në minutën e 34-t dhe Vilfor Hysa në minutën e 85-të shënuan për arkëtimin e tri pikëve për skuadrën gjilanase. Java e 13-të mbyllet me ndeshjen që zhvillohet sonte në orën 17:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës’89.