7 nëntor, 2018 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e mbetura të javës së 10-të në IPKO Superligë. Prishtina ka shënuar fitore kundër Feronikelit, në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me rezultat 1:0, edhe pse nga minuta e 64-t luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Diar Miftarajt. Golin e fitores për bardhekaltrit e shënoi Mario Morina në minutën e 57-të të ndeshjes. Pas kësaj fitoreje Prishtina është ngjitur në krye të renditjes. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër, atë të mbijetesës, Ferizaj ka shënuar fitore kundër KEK-ut në Kastriot, me rezultat 2:1. Golat për ferizajasit i shënuan Dren Gashi, në minutën e 41-të dhe Ervin Kaçar, në minutën e 75-të, derisa golin e vetëm për ‘elektricistët’ e shënoi Rilind Nimani, në minutën e 77-të.