22 nëntor, 2018 – Vizita e presidentit të FFK-së, Agim Ademi në Sarajevë ka zgjuar interesim të madh edhe për mediat dhe ekspertët e futbollit në Bosnjë e Hercegovinë. Në fakt, presidenti Ademi dhe presidenti i FFM-së, Muhamet Sejdini janë intervistuar nga televizioni i njohur me seli në Sarajevë “Al Jazeera”si dhe nga gazetari i njohur boshnjak Sinan Sinanoviq për gazetën online “Sportske.ba”. Në këto intervista presidenti Ademi ka folur për zhvillimin e futbollit të Kosovës që nga anëtarësimi në UEFA e FIFA, si dhe për rritjen e Kombëtares së Kosovës dhe suksesin e arritur në Ligën e Kombeve. Po ashtu, presidenti Ademi lavdëroi punën që po bëhet me gjeneratat e reja, duke u shprehur i lumtur për kualifikimin e Kombëtares U17 në “Elite Round” të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, derisa e vlerësoi edhe rritjen e cilësisë në futbollin e femrave, ku Kombëtarja U19 vetëm për shkak të goldallimit nuk arriti të kualifikohej në “Elite Round”.