Jemi të nderuar si Federatë e Futbollit, që Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi kanë miratuar dhe e kanë vlerësuar kërkesën tonë për njohjen e statutit “Qytetar me Merita të Veçanta” për legjendën dhe ish-presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri. Ndaj në emrin tim, Komitetit Ekzekutiv, klubeve të futbollit, bashkëlojtarëve të Fadil Vokrrit, adhuruesve dhe mbarë opinionit futbolldashës, dua t’i falënderoj për këtë vendim me të cilin edhe njëherë dëshmohet dhe vlerësohet lartë kontributi i jashtëzakonshëm i ish-presidentit Vokrri në zhvillimin dhe përparimin e futbollit të Kosovës veçmas në ndërkombëtarizimin e tij. Më shumë se kaq dhe më shumë se një përkujdesje financiare është dhënia e statutit “Qytetar me Merita të Veçanta”, duke radhitur legjendën tonë të futbollit në mesin e figurave më madhështore të kombit shqiptar dhe të shtetit të Kosovës. Konsideroj se kjo është një njohje dhe vlerësim i punës dhe i kontributit e sakrificës  të shumë brezave në futbollin e Kosovës.