21 janar, 2019 – Pas arritjes në San Marino dhe akomodimit në hotel “Palace” të Sarravalles, Kombëtarja U19 në futsall mbajti edhe stërvitjen e parë në prag të ndeshjes së nesërme në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin evropian 2019. Në të vërtet djelmoshat tanë në ndeshjen e parë do të përballen me Kombëtaren nikoqire San Marino dhe ky takim zhvillohet prej orës 18.30, ndërkaq që para kësaj sfide në orën 16.00 takohen Suedia dhe Qiproja. Atmosfera në Kombëtare është jashtëzakonisht e mirë, me një përkushtim të madh, vullnet dhe dëshirë për fitore aq më parë që këta djem për herë të parë po marrin pjesë në një garë kaq të madhe. Përzgjedhësi Suad Keçi, gjatë stërvitjes ka provuar dhe testuar skemat e lojës 2-1-1 dhe 2-2, ndonëse ka pak njohuri për lojën e kundërshtarëve pasi që edhe ata po marrin pjesë përherë të parë. Pas stërvitjes dhe para ndeshjes deklaruan:

Suad Keçi, përzgjedhës

E dimë që nuk do ta kemi të lehtë dhe do të jetë një ndeshje e fortë sidomos duke pasur parasysh se San Marino është nikoqire dhe dëshiron të dëshmohet para adhuruesve të vet, por ne do të angazhohemi dhe besoj në këtë grup të futbollistëve me qëllimin që të arrijmë fitore. Koha ka qenë e shkurtër por do të bëjmë çmos që ta fitojmë këtë sfidë.

Rinor Dragusha, futbollist
Ndeshja nuk do të jetë e lehtë, por ne synojmë fitore dhe për të arritur këtë nuk do të mungojë angazhimi i të gjithë neve. Çdo respekt për kundërshtarin por ne nuk hyjmë në asnjë ndeshje të dorëzuar.

Drilon Maxharraj, futbollist
Do të angazhohemi maksimalisht dhe do të japim gjithçka nga vetvetja që jo vetëm të kemi paraqitje të mirë, por dhe të arrijmë fitore edhe pse në kohën e sotme nuk ka kundërshtarë të dobët.