27 janar, 2019 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi së bashku me anëtarët e KE, Vjollca Krasniqi, Mirsad Çollaku, Bekim Rexhepi, si dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu, kanë marrë pjesë në gala mbrëmjen e organizuar nga FC Liria nga Berlini për shpalljen e më të mirëve në futbollin shqiptar në Gjermani për vitin 2018. Në këtë mbrëmje morën pjesë qindra bashkëatdhetarë tanë dhe mysafirë të shumtë. Ky manifestim nisi me një minutë duartrokitje për legjendën e futbollit të Kosovës dhe ish-presidentin e FFK-së, Fadil Vokrrin.

Komisioni i përbërë nga Miftar Dragidella, Mustafë Bellaina e Haki Çollakaj kishin vendosur për listën e më të mirëve në kuadër të klubeve shqiptare në Gjermani.

Epiteti i klubit më të mirë i takoi AKV Bardhosh Gërvalla nga Ludwigsburgu, klub që gjatë vitit të kaluar ishte fitues i Kupës së Kosovës në Gjermani, fitues i Kupës së klubeve shqiptare në Evropë dhe në ndeshje me fituesin e kupës së Kosovës, FC Prishtina pësoi me penallti pasi koha e rregullt ishte mbyllur me rezultat të barabartë 0:0.
Futbollisti më i mirë i vitit u shpall Fatos Povataj nga AKV Bardhodh Gërvalla Ludwigsburg kurse edhe çmimi për trajnerin më të mirë të vitit i takoi trajnerit të këtij klubi, Ramazan Kamberit.
Punëtori më i mirë spotiv i vitit u shpall Shaban Bitiqi nga FC Kosova Frankfurt, kurse në nëntë pozitat vijuese të futbollistëve të vitit u gjenden edhe: Ermir Doçi, SC Drita Kosova Kornwestheim, Flakron Thaçi, FC Kosova Frankfurt, Metin Pepaj, FC Kosova München, Fabjan Përdedaj, FC Liria Berlin, Getarb Sali, FC Kastrioti Stukenbrock, Evzi Salievski, KF Kosova Bernhausen, Jeton Gashi, FC Besa Gießen, Kenan Haziri FC Albania Mainz-Kastel dhe Hedon Tërpeza FC Kosova Düsseldorf.

Kupat, mirënjohjet dhe medaljet i ndanë Agim Ademi, president i FFK-së, Isni Kilaj, zëvendësministër i Diasporës, Ruzhdi Statovci, kryetar i FFSHGJ, Enver Muzliukaj, nënkryetar i FFSHGJ dhe Miftar Dragidella, sekretar i përgjithshëm i FFSHGJ.
Në këtë kuadër edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi ndau dhurata për nikoqirin.