7 shkurt, 2019 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në kuadër të punimeve të Kongresit të 43-të të UEFA-s, ka takuar edhe presidentin e Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales. Gjatë këtij takimi dy presidentët kanë bashkëbiseduar për format e bashkëpunimit dhe veçmas për çështjen e ndeshjeve të fazës “Elite Round” të Kombëtareve për grupmoshën U19, që do të zhvillohen në Spanjë. Siç dihet autoritetet spanjolle nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe vijojnë të shkaktojnë probleme sa i përket hyrjes së sportistëve kosovarë në territorin e saj, prandaj presidenti Ademi ka kërkuar nga homologu i tij që ta ushtrojë ndikimin e tij që mos të ketë pengesa të tilla për ekipin tonë kombëtar të grupmoshës U17 që do të udhëtojë në Spanjë. Ademi i bëri të ditur Rubiales se nuk do të duhej të ketë pengesa të tilla, pasi kjo është një garë e UEFA-s dhe Federata spanjolle si organizatore në vendin e saj e ka për obligim t’iu sigurojë kushte të gjithë pjesëmarrësve, në të kundërtën nuk do të duhej ta merrte organizimin e një eventi të tillë zyrtar, kur e dinë se ka probleme të tilla.  Faza “Elite Round” do të zhvillohet prej 20 deri më 26 mars të këtij viti, derisa ditë më parë për këtë çështje edhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu ka paraqitur vërejtje në UEFA, duke i paralajmëruar se mund të hasin në pengesa për udhëtim në Spanjë, pasi në çdo garë që është mbajtur në Spanjë, sportistët tanë kanë hasur probleme, duke përfshirë këtu edhe Komitetin Olimpik të Kosovës.