Të nderuar drejtues të klubeve, futbollistë, anëtarë të FFK-së, donatorë dhe adhurues të futbollit,

Sot po e hapim perden e stinorit pranveror të garave në futbollin tonë me ndeshjet çerekfinale të Digitalb Kupës së Kosovës, që i paraprijnë rifillimit të garave kampionale në IPKO Superligë dhe ligat e tjera zinxhirë.
Gjatë këtyre muajve ndërmjet dy stinorëve organet e FFK-së i kanë bërë të gjitha përgatitjet që në stinorin pranveror të kemi garë korrekte dhe mbi të gjitha integritet të garave. Të gjitha përpjekjet tona janë që në këtë edicion të kemi organizim të mirë të ndeshjeve, lojëra cilësore dhe kulturë të lartë sportive në fushën e gjelbër.
Zotimi im, por edhe i të gjitha organeve tjera të FFK-së është që të kemi rezultatin real në të gjitha ndeshjet, pasi në këtë mënyrë do ta kemi një epilog të drejtë edhe të cilësisë së kampionatit tonë, por njëherësh edhe do ta mbrojmë punën e klubeve dhe investimet e tyre.
Prandaj, duke iu uruar fillimin e stinorit pranveror, kërkoj nga të gjithë që të jemi të përgjegjshëm, të sinqertë, korrektë dhe profesional secili në detyrën dhe obligimet e tij. Derisa, ndaj dukurive negative dhe të gjithë atyre që do të jenë të papërgjegjshëm do të kemi zero tolerancë.

Suksesi i arritur nga ekipi kombëtar na ka bërë krenarë të gjithëve, por njëherësh duhet të na shërbejë për rritje të përgjegjësisë tek secili prej nesh, që të kontribuojmë për ta rritur edhe nivelin e kampionatit tonë, në mënyrë që në të ardhmen të prezantohemi në numër më të madh me klube në garat evropiane dhe të korrim suksese.

Të vazhdojmë nën moton “Krenari dhe përgjegjësi”…

Urime dhe na priftë e mbara!


Me respekt, Agim Ademi

President i FFK-së