12 shkurt, 2019 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka vizituar sot komunën e Hanit të Elezit, ku është pritur nga kryetari i kësaj komune, Refki Suma si dhe nga kryetari i KF “Sharri”, Mixhait Kalisi. Së bashku me presidentin Ademi ishin edhe anëtari i KE-së, Ilaz Mjaku, zv.sekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti dhe zyrtari për integritet, Ejup Osmani. Gjatë këtyre takimeve u diskutua për kushtet e infrastrukturës dhe kushtet e klubit Sharri, derisa u vizitua edhe vendi ku do të ndërtohet stadiumi i futbollit, i cili do të bëhet në saje të investimit të përbashkët të Ministrisë së Sportit, Ministrisë së Ambientit dhe Komunës së Hanit të Elezit, derisa presidenti Ademi u dakordua që edhe FFK-ja ta ndihmojë realizimin e këtij projekti m e mundësitë e saj. Gjatë vizitës në Han të Elezit, presidenti Ademi vizitoi edhe objektin e Komunës dhe varrezat e dëshmorëve të kësaj zone, derisa kryetari Suma në fund shtroi edhe drekë për delegacionin e FFK-së. Presidenti Ademi e falënderoi kryetarin Suma për mikpritjen e ngrohtë dhe u ndje jashtëzakonisht mirë me atë çfarë pa gjatë kësaj vizite dhe për mbështetjen që i jep komuna klubit të futbollit “Sharri” dhe sportit në përgjithësi.