15 shkurt, 2019 – Federata e Futbollit e Kosovës edhe sivjet do të organizojë projektin “Rekrutimi i vajzave të reja shkollore në futbollin e organizuar”. Për këtë arsye, sot, anëtarja e KE të FFK-së, njëherësh kryetare e Komisionit për futbollin e femrave, Vjollcë Krasniqi dhe shefja e futbollit të femrave, Valbona Gashi –Uka e kanë mbajtur një takim me zyrtarët e drejtorive komunale të sportit të përfshira në këtë projekt dhe me kryetarët e Shoqatave të Pedagogëve të Edukatës Fizike dhe Sportit.

Anëtarja e KE-së, Vjollcë Krasniqi gjatë këtij takimi theksoi se organizimi i këtij projekti në vitin e kaluar doli të ishte i qëlluar, pasi shumë vajza të reja u bënë pjesë e klubeve të futbollit dhe kësisoj u arrit qëllimi i projektit për ndërgjegjësimin dhe masivizimin e futbollit tek femrat. Ajo i njoftoi pjesëmarrësit e këtij takimi me vendimin që ka marrë KE i FFK-së për vazhdimin e këtij projekti edhe gjatë këtij viti, ku qëllimi i projektit është që të rritet ndërgjegjësimi i vajzave të reja për futbollin si dhe të bëhet rekrutimi i talenteve në futbollin e organizuar.

Ajo ka bërë të ditur se për dallim nga viti i kaluar kur ky projekt ishte mbajtur në 7 komuna, sivjet ai do të shtrihet në 14 komuna, si në Prishtinë, Podujevë, Prizren, Suharekë, Mitrovicë, Skenderaj, Gjilan, Viti, Gjakovë, Malishevë, Pejë, Deçan, Ferizaj dhe Kaçanik.

Turnetë do të fillojnë të mbahen nga muaji shkurt deri në muajin nëntor, derisa në turnetë komunale do të ftohen futbollistet/trajnerët e futbollit të vajzave për të ndihmuar personin përzgjedhës në përzgjedhjen e ekipit më të mirë dhe për të parë talentet e reja në mënyrë që ato të rekrutohen në shkollat apo klubet e futbollit. Ndërkaq, turneu final do të organizohet në Prishtinë, ku të gjitha ekipet më të mira nëpër komuna do të takohen me njëra-tjetrën. Të gjithë trajnerët do të jenë pjesë aktive e përzgjedhjes në koordinim me udhëheqësit e ekipit dhe udhëheqësit e projektit. Ndeshja përfundimtare do ta japë fituesin e turneut, por qëllimi kryesor i projektit është t’i japë mundësi trajnerëve që të kenë një pamje të qartë për nivelin e vajzave të përfshira në këtë projekt dhe për përzgjedhjen e më të mirave për klubet e tyre.

Në anën tjetër, kryetarët e Shoqatave të Pedagogëve të Edukatës Fizike dhe të Sportit, si dhe zyrtarët e drejtorive për sport të komunave u shprehën falënderues ndaj FFK-së për vazhdimin e këtij projekti dhe për rëndësinë që po ua jep futbollit të vajzave.