17 shkurt, 2019 – Liburni është fitues i Kupës së Kosovës në futsall. Skuadra gjakovare në ndeshjen finale, e cila u zhvillua në pallatin e sportit në kryeqytet, në praninë e mbi 500 tifozëve, e ka mposhtur Prishtinën 01, me rezultat 4:3. Këtë ndeshje nga afër e ka ndjekur edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, së bashku me përzgjedhësit, Ramadan Cimili e Suad Keçi, anëtarët e Komisionit të Futsallit, ish-futbollistin e gjeneratës së artë të Prishtinës, Sahit Kelmendi dhe shumë personalitete tjera sportive. Ndeshja finale dhuroi një lojë shumë të mirë nga të dyja ekipet. Pjesa e parë u mbyll me rezultat të barabartë, 2:2. Për skuadrën gjakovare në këtë periudhë shënuan Arbër Dobroshi e Halim Selmanaj, derisa për prishtinasit të dy golat i shënoi Agon Ramadani. Ndërkohë, në pjesën e dytë Liburni krijoi epërsi prej dy golash ku sërish shënuan Halim Selmanaj e Arbër Dobroshi. Dy minutat e fundit të ndeshjes ishin dramatike, pasi Prishtina 01 arriti ta ngushtojë epërsinë në 3:4 me golin e Oso Gjinovcit. Megjithatë, sekondat e mbetur nuk i mjaftuan kryeqytetasve që të barazojnë shifrat dhe kësisoj trofeu përfundoi në duart e futbollistëve të Liburnit. Medaljet dhe kupën skuadrës gjakovare ia ndau presidenti i FFK-së, Agim Ademi.