28 shkurt, 2019 – Shoqata e Trajnerëve ka organizuar sot seminar me trajnerët e klubeve të Superligës dhe Ligës së Parë, në të cilin ligjërues ishin ekspertët e futbollit kroat, Luka Milanoviq, Petar Kerpan, Nenad Graçan dhe Robert Jarni. Ky seminar zgjoi interesim të madh të trajnerëve tanë, të cilët në bashkëbisedim e sipër shtruan pyetje të shumta lidhur me suksesin e arritur nga Kombëtarja e Kroacisë në Botërorin e fundit, ku arritën deri në finale. Gjithashtu, gjatë seminarit u fol edhe për mënyrën e punës që bëhet në shkollat dhe klubet e futbollit në Kroaci, për marrëdhëniet ndërmjet klubeve të mëdha dhe shkollave të futbollit, si dhe punën taktike dhe atë kondicionale. Ndërkohë, pas përfundimit të seminarit mysafirët nga Kroacia i kanë pritur presidenti i FFK-së, Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, të cilët kanë falënderuar Federatën e Futbollit të Kroacisë dhe ata personalisht për bashkëpunimin e ngushtë dhe të frytshëm me FFK-në, përkatësisht me Shoqatën e Trajnerëve.