5 mars, 2019 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, sot, ka pritur komandantin e Karabinierëve italian, kolonelin Ruggiero Capodivento dhe këshilltarët e projektit “Twinning”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian për forcimin e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë, Roberto Amorosi dhe Mariaemanuela Guerra. Të pranishëm në takim ishin edhe nënkryetari i KE, Agim Dibrani, anëtari i KE, Xhelal Broja dhe zv.sekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti. Me këtë rast, presidenti Ademi vlerësoi lart kontributin e Italisë dhe të KFOR-it italian në proceset e shtetndërtimit të Kosovës, por edhe përkrahjen italiane për futbollin e Kosovës. Presidenti Ademi e njoftoi komandantin Capodivento me zhvillimet dhe progresin që po bën futbolli i Kosovës në të gjitha segmentet, e veçanërisht me sukseset e arritura në arenën ndërkombëtare. Gjatë këtij takimi u bisedua për çështjet e sigurisë së ndeshjeve të kombëtares dhe u arrit marrëveshja për bashkëpunim në shumë çështje që kanë të bëjnë me sigurinë. Në kuadër të këtij partneriteti u vendos që më 6 maj, në orën 17:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë të zhvillohet edhe një ndeshje revyale ndërmjet ekipit të Prokurorëve dhe Gjykatësve të Kosovës dhe ekipit të Prokurorëve dhe Gjykatësve të Italisë. Në fund të takimit u shkëmbyen edhe dhurata.