8 mars, 2019 – Sot ka nisur kursi i parë i trajnerëve për portierë në kuadër të projektit “Grassroots”. Ky kurs do të zgjasë 3 ditë, derisa në të po marrin pjesë 37 trajnerë të portierëve, si dhe trajnerë të grupmoshave të reja. Ky kurs po udhëhiqet nga eksperti gjerman, David Wetzel, derisa po mbikëqyret nga drejtori teknik, Michael Nees dhe menaxherja e “Grassroots”, Sanije Krasniqi. Gjatë ditës së sotme janë mbajtur nga dy seanca në teori dhe praktikë në hotel ‘Emerald’ dhe në stadiumin e Ramiz Sadikut, ku eksperti gjerman ua ka shpjeguar në detaje trajnerëve punën sa më efikase me portierët, duke filluar nga pozicionimi, teknikat bazike, reagimi në situata të ndryshme gjatë lojës, si dhe shumë shembuj të trajnimit të portierëve. Gjatë seancën praktike në stadium trajnerët pjesëmarrës të këtij kursi i kanë vizituar edhe nënkryetari i FFK-së, Agim Dibrani dhe zv.sekretari i përgjithshëm, Arianit Ahmeti, të cilët kanë falënderuar ekspertin gjerman, Wetzel për përkushtimin dhe punën e tij në këtë kurs, me shpresën se trajnerët e portierëve do të dalin shumë më të përgatitur në përfundim të këtij kursi.