I dashuri dhe i respektuari miku im, Muhamed Sejdini,

Ju shpreh përgëzimet e mia më të sinqerta, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë për zgjedhjen tuaj si President i Federatës së Futbollit të Maqedonisë Veriore.

Ju, me punën dhe përkushtimin tuaj prej dekadash në futboll keni arritur t’i tejkaloni të gjitha barrierat, duke dëshmuar se asgjë nuk arrihet në mënyrë rastësore.

Zgjedhja juaj me vota unanime është rezultat i  punës së palodhur, angazhimit dhe korrektësisë tuaj pa dallim etnie.

Zgjedhja juaj si president i Federatës së Futbollit në një shtet multietnik si Maqedonia, dëshmon se vlerat e sportit janë mbi gjithçka tjetër, andaj jam i nderuar dhe shumë i lumtur që për herë të parë në historinë e vendit tuaj, shtëpinë e futbollit, do ta drejtojë një emër i madh dhe i respektuar shqiptar.

Jam thellësisht i bindur, se Ju, me vizionin dhe strategjinë që e keni, do të arrini që futbollin në Maqedoninë e Veriut ta vendosni në rrugën e zhvillimit, progresit dhe në binarët e suksesit.

Po ashtu, ju ofroj mbështetjen time të plotë në vazhdimin e bashkëpunimit të sinqertë e vëllazëror për të ecur së bashku në ngritjen dhe zhvillimin e futbollit në dy vendet tona.

Hapat e parë tashmë i kemi bërë me paraqitjen e suksesshme në Ligën e Kombeve, uroj që tani të njëjtën rrugë të suksesit ta kemi edhe në ciklin e ri të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020.

Ju priftë e mbara,

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së