Nyon, 21 mars, 2019 – Me të arritur në Zvicër dhe pas akomodimit në hotelin “La Villa du Lac”, Kombëtarja U17 sot mbajti dy herë stërvitje, paradite dhe pasdite, para ndeshjeve të rrethit elitë për Evropianin 2019. Të dyja seancat stërvitore, përzgjedhësi Besnik Kollari me bashkëpunëtorë, provuan disa skema të lojës dhe sisteme të ndryshme me mundësi transformimi gjatë ndeshjes.  Futbollistët e rinj punuan me përkushtim në mbrojtje  dhe në fazën e sulmit sikur që e bën ndërlidhjen mes reparteve  nëpërmjet një mesfushe të lëvizshme. Kombëtarja U17 do të ketë mundësinë e mirë të përgatitjes deri më 25 mars kur edhe do ta zhvillojë ndeshjen e parë të këtij rrethi kundër Ukrainës. Kushtet janë të mira për punë ndërkaq që atmosfera brenda grupit është jashtëzakonisht e mirë. Edhe për përzgjedhësin e Kombëtares U19 Ramiz Krasniqi, i cili këtu po qëndron për të parë nga afër ndonjë futbollist që mund t’i bashkëngjitet Kombëtares U19 në garat e ardhme, është një rast i mirë, që të bëjë ndonjë përzgjedhje të futbollistëve të rinj. Të kujtojmë se ndeshjen e parë Kombëtarja U17 do ta ketë të hënën më 25 mars kundër Ukrainës prej orës 11.00.