5 mars, 2019 –  Vashat e Kombëtares së Kosovës kanë shënuar fitore në ndeshjen e parë miqësore kundër Maqedonisë së Veriut, që u zhvillua, sot, në stadiumin e qytetit në Gjakovë, me rezultat 3:1. Loja ishte e mirë, cilësore dhe përplot aksione të mira. Futbollistet tona mbizotëruan me lojë dhe rezultat, sidomos në pjesën e parë, ku së pari shënoi Modesta Uka në minutën e 21-të, ndërkaq epërsinë e dyfishoi Valentinë Limani në minutën e 30-të. Me rezultatin 2:0 u mbyll pjesa e parë, derisa 45 minutat e dytë nisën me një këndellje të maqedonaseve, të cilat u munduan të kthejnë rezultatin, kështu që në minutën e 78-të Dimovska ngushtoi epërsinë në 2:1. Megjithatë, futbollistet tona shumë shpejtë e rikthyen epërsinë e dy golave duke mos lejuar që t’u rrezikohet fitorja, ku Besjana Reçica, e cila vulosi rezultatin përfundimtar të takimit, 3:1. Ndeshja e dytë miqësore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të zhvillohet të hënën. Pas përfundimit të ndeshjes, në darkën e përbashkët që u organizua në hotel “Apollonia” në Gjakovë, u shkëmbyen dhurata nga delegacionet e federatave.

Pas ndeshje deklaruan:

Afërditë Fazlija, përzgjedhëse

I përgëzoj vajzat për një angazhim maksimal dhe paraqitje jashtëzakonisht të  mirë. Ishte një lojë e mirë. Patëm shumë raste shënimi, por realizuam vetëm tri gola të mjaftueshme për fitore. Donim të provojmë të gjitha futbollistet, sidomos në pjesën e dytë më shumë ishin futbolliste vendore. Ne jemi Kombëtare e re dhe po përpiqemi të ndërtojmë një ekip të mirë. Këtë vit na presin kualifikimet edhe pse jemi në grup mjaft të fortë synojmë të plasohemi të paktën në vendin e tretë edhe pse jo edhe në vendin e dytë.

 

 


Modesta Uka, futbolliste

Patëm një paraqitje të mirë. I gëzohem golit që shënova, por më shumë i gëzohem fitores së ekipit. Mendoj se ishim më të mira, por edhe maqedonaset u angazhuan mjaft sidomos në pjesën e dytë. Na pret edhe ndeshja  e dytë.

 

 

 

 

 


Verona Berisha, futbolliste

Ne e dominuam ndeshjen. Arritëm të krijojmë shumë raste, por shënuam vetëm tri gola. Me këtë edhe fituam lojën, por ne e kemi edhe një ndeshje dhe kjo nuk guxon të na mashtrojë, sepse duhet të jemi në nivel edhe në ndeshjen e dytë.

 

 

 


Kosova – Maqedonia e Veriut  3:1
Stadiumi i qytetit Gjakovë.

Shikues: disa dhjetëra

Gjyqtarë: K. Vula, B. Këpuska, T. Haxhimustafa e B. Mullazenuni.

Shënuese: Uka(21), Limani(30) e Reçica(90+1) për Kos. e Dimovska(78) për Maq.

K.V.Uka e Kos e Dimovska e Maq.

Kosova: Leci, Shala, A. Syla(Reçica), Berisha, Biçkaj(Tahiri), B. Shala, Uka(Bajra), Ejupi(Hiseni), Kryeziu, L. Syla e Limani(Rexhepi).

Maqedonia V.: Lekoska, Angelovska, Krstanovska, Chubrinoska, Dervishi (Sherifi), Ristovska, Maksuti, Mustafa, Gjorgjovska(Dimovska), Jakovski e Joshevska (Nikoovska).

 

Para ndeshjes Kombëtaren e vizitoi zv.ministri i kulturës, rinisë e sportit, Rexhep Mazrreku

Para nisjes për Gjakovë në ndeshjen me Maqedoninë Veriore, Kombëtaren A e vizitoi zv.ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Rexhep Mazrreku.  Me këtë rast përzgjedhësja Afërditë Fazlija duke falënderuar z. Mazrreku për këtë vizitë e njohu për strukturën e futbollisteve dhe synimet që ka Kombëtarja për të ardhmen. Ndërkaq, anëtarja e KE dhe kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave znj. Vjollcë Krasniqi, duke i përshëndetur vashat e Kombëtares, ka falënderuar zv. ministrin Mazrreku, për praninë e tij duke thënë se kjo prani flet  më shumë se sa ndonjë adresim përmes rrjeteve sociale, për faktin se prania fizike është kurajë dhe mbështetje më madhe. “Unë besoj se vajzat tona do të japin gjithçka që dinë dhe munden për një paraqitje sa më të mirë”, ka thënë Krasniqi. E nga ana e tij zv.ministri Rexhep Mazrreku me këtë rast tha: “Falënderoj znj. Vjollcë Krasniqi dhe përzgjedhësen Fazlija sikur edhe futbollistet që më dhanë mundësi ta vizitoj Kombëtaren. Më gëzon fakti, që ekipi është i përbërë nga futbollistet vendore dhe ato nga diaspora. Unë shpresoj se do ta kryeni punën tuaj sa mirë që është e mundur dhe neve si shoqëri dhe Ministri e Sporteve do të iu mbështesim me të gjitha mundësitë dhe kapacitet që kemi”.
Në emër të vajzave zv. ministrin Mazrreku e ka falënderuar kapitenja Edonë Kryeziu, e cila tha se do të bëjnë çmos që të kenë paraqitje sa më të mirë, sepse kështu i paraqesin vlerat e veta dhe të Kosovës.