8 prill, 2019 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 26-të në IPKO Superligë, ku dy skuadrat e kreut të renditjes, Feronikeli dhe Prishtina kanë shënuar fitore pa ndonjë problem në ballafaqimet me Lirinë, përkatësisht Ferizajn. Lideri i renditjes, Feronikeli shënoi fitore me rezultat bindës, 4:0, në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren. Dy gola në këtë ndeshje i realizoi Kastriot Rexha, derisa me nga një gol kontribuuan Mevlan Zeka dhe Albert Dabiqaj. Ndërkaq, Prishtina si mysafire e mposhti Ferizajn, me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Meriton Korenica dhe Armend Thaçi. Kësisoj, pas javës së 26-të distanca ndërmjet Feronikelit dhe Prishtinës mbetet e njëjtë, 3 pikë, me skuadrën nga Drenasi e cila kryeson me 62 pikë.