12 prill, 2019 – Sot në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë është zhvilluar ndeshja hapëse e javës së 27-të në IPKO Superligë, ndërmjet Trepçës’89 dhe Ballkanit, në të cilën fitores iu gëzua skuadra mitrovicase, me rezultat 2:1. Ishte ky një ballafaqim i dy skuadrave që janë në kërkim të stabilitetit në renditje. Të dy golat e fitores së “minatorëve” i shënoi Engjëll Hoti. Fillimisht ai realizoi një gol të bukur nga distanca në minutën e 17-të, derisa më pas e shtoi epërsinë në minutën e 63-të, me një tjetër gol spektakular. Ndërkohë, në minutat shtesë Ballkani realizoi golin e nderit pas gabimit të portierit Arben Beqiri.