13 maj, 2019 – Pas 3 majit, një tjetër datë historike për futbollin e Kosovës është 13 maji, dita kur Federata e Futbollit e Kosovës u anëtarësua në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA, në Kongresin e mbajtur në Meksikë. Kësisoj, rrugëtimi shumëvjeçar i shumë gjeneratave të futbollit në Kosovë, me sakrifica e vështirësi, përfundimisht arriti në cakun e duhur, aty ku vendi ynë e kishte merituar të ishte shumë vite më parë, por që burokracitë dhe politika nuk e lejuan të depërtonte.

Sidoqoftë, ashtu siç thotë edhe fjala e urtë popullore “më mirë vonë se kurrë”, edhe ne arritëm që falë punës së vazhdueshme dhe këmbëngulëse të gjeneratave të tëra ta çojmë procesin e nisur që nga mëvetësimi deri në finalizim nga presidenti legjendar, Fadil Vokrri, duke mos harruar edhe meritat e të gjithë atyre që punuan për më shumë se dy dekada në organizimin e futbollit në krye me Agim Bytyçin, Rexhep Abdullahun e Sabri Hashanin me bashkëpunëtorë.

Në këtë ditë të veçantë, falënderoj të gjithë kontribuuesit  dhe brezat, e posaçërisht ish-presidentin Fadil Vokrri, i cili pas një pune sublime arriti ta vendosë flamurin e shtetit tonë si anëtaren e 205-të në FIFA dhe të pranojë me meritë flamurin e FIFA-s për anëtarësim në Kongresin e Meksikës, në të cilin u shoqërua nga anëtari i KE-së, Flamur Bunjaku.

Anëtarësimi në FIFA na hapi të gjitha rrugët e zhvillimit dhe njëkohësisht edhe të pasqyrimit të vlerave tona të futbollit e jo vetëm para syve të tërë botës.

Për tri vjet punuam me përgjegjësi maksimale dhe me synimin e qartë që të bëhemi storie e suksesit, gjë të cilën sado që duam të jemi modestë, tashmë e kemi arritur. Sidoqoftë, me kaq nuk do të kënaqemi, ngase objektivi ynë është që të arrijmë suksesin historik – kualifikimin në Evropian, por edhe të rrisim nivelin e kampionatit vendor dhe të jemi të suksesshëm edhe në nivel klubesh.

Në këtë ditë, përveç sukseseve të njëpasnjëshme të Kombëtares, e cila me paraqitjet e saj po na bënë krenarë të gjithëve, dua të veçoj edhe disa të arritura tjera. Ngritja e kampionatit vendor, si në organizim ashtu edhe në rivalitet e në cilësi po bën jehonë kudo. Realizimi i projekteve të përbashkëta me FIFA-n po shkon në mënyrën më të mirë, qoftë në edukimin e kuadrove të reja të trajnerëve, qoftë edhe në përmirësimin e infrastrukturës, për çka i jemi falënderues drejtuesve të FIFA-s, të cilët po e vlerësojnë punën tonë si federata më e re.

Pranimi i gjyqtarëve në Konventën e gjyqtarëve të FIFA-s ishte një tjetër e arritur, derisa së shpejti do të bëhet edhe licencimi i delegatëve dhe kontrollorëve për ndeshjet ndërkombëtare, derisa për herë të parë na është besuar organizimi i fazës parakualifikuese për Ligën e Kampionëve,  që s’do mend është një vendim i shumëpritur si nga klubet, ashtu edhe nga dashamirët e futbollit.

Në partneritet të plotë me UEFA-n e FIFA-n jemi duke e përgatitur strategjinë zhvillimore të federatës tonë, e cila ndër të tjera e parasheh edhe ndryshimin e formatit të garave, krejt kjo me qëllim të rritjes së nivelit të organizimit të kampionatit vendor.

Prandaj, besoj fuqishëm se tashmë jemi në rrugën e duhur dhe futbollin tonë e presin ditë edhe më të mira.

Duke uruar të gjitha gjeneratat e futbollit të Kosovës, e posaçërisht gjeneratën e sakrificës, të gjithë donatorët e klubeve ndër vite, drejtuesit e zyrtarët e FFK-së, drejtuesit e zyrtarët e klubeve, gjyqtarët, futbollistët, punëtorët sportivë dhe tifozët, falënderoj të gjithë opinionin dhe institucionet shtetërore për përkrahjen e madhe që po i japin futbollit në rrugën drejt suksesit historik.

Vazhdojmë – me Krenari e Përgjegjësi!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së