1 qershor, 2019 – Trepça’89 do të vazhdojë të jetë pjesë e IPKO Superligës edhe në edicionin e ardhshëm. Skuadra mitrovicase ka shënuar fitore në ndeshjen e barazhit kundër Vëllaznimit, që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, me rezultat 4:2. “Xehetarët” kaluan në epërsi në minutën e 13-të, me golin e Richard Asare me gjuajtje me kokë. Megjithatë, kuqezinjtë e Gjakovës arritën që në minutat në vazhdim fillimisht ta barazojnë rezultatin me golin e Tun Bardhokut, në minutën e 26-të e më pas edhe të kalojnë në epërsi, në minutën e 44-t, me golin e Almedin Muratit. Mirëpo, në pjesën e dytë ishin futbollistët e Trepçës’89 që u shfaqën shumë më të rrezikshëm dhe më efikas. Fillimisht shifrat i barazoi Arb Manaj, me gjuajtje me kokë, në minutën e 56-të, derisa nëntë minuta më vonë Hasan Hyseni shënoi një gol të shkëlqyeshëm nga afërsia për rikthimin e epërsisë së mitrovicasve. Ndërkohë, golin e qetësisë për mitrovicasit e shënoi Engjëll Hoti, në minutën e 87-të, duke vendosur edhe rezultatin përfundimtar të kësaj sfide, 4:2. Në momentet e fundit të ndeshjes gjyqtari Mervan Bejtullahu ndëshkoi me karton të kuq Kushtrim Gashin e Vëllaznimit dhe Ylber Malokun e Trepçës’89.