2 qershor, 2019 – Kombëtarja e Kosovës ka nisur zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2020 kundër Malit të Zi, më 7 qershor në Podgoricë dhe kundër Bullgarisë, më 10 qershor në Sofje. Në stërvitjen e parë nën drejtimin e përzgjedhësit Bernard Challandes kanë qenë shumica e futbollistëve, me përjashtim të Samir Ujkanit, Arbër Zenelit, Leart Paqaradës, Anel Rashkajt, Ibrahim Dreshevicit dhe Fidan Alitit, të cilët do t’i bashkohen ekipit në stërvitjen e radhës, derisa Benjamin Kollolli do të mungojë edhe në stërvitjen e nesërme. Në seancën e sotme futbollistët përveç vrapimeve dhe ushtrimeve fizike kanë punuar edhe në qarkullimin e shpejtë të topit, pastaj në tranzicionin e reparteve si dhe pasimet në hapësirë të vogël, derisa Amir Rrahmani ka stërvitur i diferencuar nga pjesa tjetër.

Ndërkohë, pas stërvitjes përzgjedhësi Bernard Challandes ka dalë në konferencë për media, ku ka shprehur brengën e tij për mungesat e rëndësishme në repartin e mesfushës, por ka shprehur shpresën se do t’ia dalë mbanë me futbollistët që ka në dispozicion. Challandes ka thënë se nuk e sheh si përparësi faktin që ndeshja në Podgoricë do të luhet pa tifozë, pasi sipas tij në kushte të tilla është më e vështirë për futbollistët. Ai ka thënë se nuk do të kënaqej me 1 pikë në Podgoricë dhe në secilën ndeshje ekipi i tij do të hyjë për fitore.

Nesër Kombëtarja do ta zhvillojë vetëm një seancë stërvitore dhe atë në orën 17:00.

Për më shumë ndiqeni videon e mëposhtme nga konferenca e Challandes: