5 qershor, 2019 – Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para nisjes për në Podgoricë. Edhe në stërvitjen e sotme Dardanët punuan me intensitet të madh dhe me përkushtim, derisa përzgjedhësi Bernard Challandes punoi edhe në detaje për skemat e tij me të cilat synon që të marrë rezultatin pozitiv të premten kundër Malit të Zi. Atmosfera në Kombëtare është jashtëzakonisht e mirë dhe të gjithë janë optimistë se në këto dy udhëtime do të nxjerrin rezultate pozitive.
Pas stërvitjes në konferencën për media u paraqitën portieri Samir Ujkani dhe mbrojtësi Fidan Aliti, të cilët theksuan se në Podgoricë udhëtojnë për fitore.

“Do të jenë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Sigurisht ndeshja kundër Malit të Zi është një ndeshje e madhe dhe e vështirë, por ne jemi përgatitur mirë dhe kemi punuar shumë. Atmosfera është e mirë dhe jemi në rrugë të mbarë. Por, tash mbetet që të premten ta tregojmë veten dhe të nxjerrim rezultat pozitiv. Të gjithë po punojmë për njëri-tjetrin. Kemi mungesa të rëndësishme, por kanë ardhur djemtë të ri dhe konkurrenca është rritur shumë, andaj besoj se nuk duhet të jetë problem për ne mungesa e disa futbollistëve”, ka theksuar Ujkani.

Ndërkaq, Fidan Aliti theksoi se tash për tash nuk janë duke menduar për duelin e dytë kundër Bullgarisë, por vetëm për atë në Podgoricë.

“Ne tani jemi të fokusuar në ndeshjen me Malin e Zi. Nuk do të jetë e lehtë. Kemi respekt për kundërshtarin, por ne i dimë kualitetet tona. Stërvitjet kanë qenë shumë intensive dhe djemtë kanë punuar me përkushtim, prandaj besoj se do të hyjmë në ndeshje me mentalitet pozitiv. Ndeshja në Podgoricë pa tifozë? Kam luajtur ndeshje të tilla me Skenderbeun në Ligën e Evropës. Është ndeshje e veçantë sepse çdo zë ndihet në fushë. Megjithatë mund të jetë pozitiv sepse komunikimi mes lojtarëve është më i lehtë sepse s’ka zhurmë të shikuesve dhe kur e mendojmë se luajmë si mysafirë mund të jetë pozitive për ne. Kam plotësisht besim te djemtë tanë. Nëse nuk besojmë në fitore ndaj Malit të Zi ma mirë mos të udhëtojmë fare. Unë besoj fuqishëm se do të kemi gjasa të mëdha për ta fituar ndeshjen”.

Kombëtarja udhëton sot në orën 14:00 drejt Podgoricës ku nesër do ta zhvillojë stërvitjen e fundit para përballjes me Malin e Zi.