Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Bullgarinë. Kjo seancë është mbajtur në stadiumin kombëtar “Vasil Levski” në Sofje, arenë në të cilën nesër në orën 20:45 do të zhvillohet edhe ndeshja e radhës në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020. Atmosfera në ekipin kombëtar është shumë e mirë dhe të gjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin në duelin kundër bullgarëve, me besim dhe shpresë se kësaj radhe edhe fati do të jetë në anën e Dardanëve për t’i arkëtuar pikët e plota. Edhe në stërvitjen e fundit përkushtimi i futbollistëve ka qenë i madh, derisa përzgjedhësi Bernard Challandes ka qenë i fokusuar për të parë formën e secilit futbollist dhe për të vendosur për 11-shen e cila do t’i kundërvihet nesërmbrëma bullgarëve. Lëndimi i Arbër Zenelit ka shtuar vështirësitë për përzgjedhësin Challandes, por ai ka paralajmëruar se nuk do të ndryshojë asgjë në taktikën e lojës. Stërvitjen e fundit të Kombëtares në nga afër e kanë ndjekur edhe presidenti Agim Ademi dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, të cilët pas homazheve tek varri i ish-presidentit Fadil Vokrri, kanë udhëtuar për në Sofje për të qenë afër Dardanëve para kësaj ndeshje tejet të rëndësishme. Ndërkohë, i pranishëm në stërvitje ka qenë edhe ambasadori i Kosovës në Sofje, Edon Cana, si dhe anëtarët e KE të FFK-së, Bakir Burri, Mirsad Çollaku e Predrag Joviç.