18 qershor, 2019 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një sërë takimesh. Fillimisht kreu i FFK-së ka pritur kryetarin e KF “Dardana”, Sevdai Kastratin, të cilin e uroj për inkuadrimin e klubit që ai drejton në Ligën e Parë për edicionin e ri garues.
Presidenti Ademi ka zhvilluar një takim edhe me përzgjedhësin e Kombëtares U21, Rafet Prekazin, të cilin e përgëzoi për dy fitoret e arritura në ndeshjet e para të ciklit kualifikues për Evropianin 2021, kundër Andorrës dhe Turqisë, duke i garantuar mbështetje të plotë Kombëtares U21 dhe të gjitha ekipeve zingjir, me qëllim të përfaqësimit sa më dinjitoz dhe arritjes së objektivave. Ndërkaq, në takimin me përfaqësuesit e shkollave të futbollit, krahas presidentit Ademi, ishin të pranishëm edhe nënkryetari Agim Dibrani, sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu dhe kryetari i LRFP-së, Ismajl Ajeti. Gjatë këtij takimi iu dha mbështetje zhvillimit të kuadrove të reja në futboll, por njëherësh u kërkua që të punohet në mënyrë sa më profesionale në shkollat e futbollit, në mënyrë që në të ardhmen të dalin në pah sa më shumë talente.