25 qershor, 2019 – Futbollisti i Kombëtares së Kosovës dhe i skuadrës franceze, Reims, Arbër Zeneli, sot, iu ka nënshtruar me sukses ndërhyrjes kirurgjike në gju pas lëndimit të pësuar në ndeshjen Mali i Zi – Kosova, që u zhvillua në fillim të këtij muaji në Podgoricë. Arbëri në këtë ndeshje kishte këputur ligamentet e gjurit të djathtë dhe operimi ishte i domosdoshëm.

Tashmë futbollistin tonë e pret një periudhë riaftësimi, për t’u kthyer sa më parë që të jetë e mundur në fushat e blerta, aty ku është tepër i nevojshëm si për ekipin tonë kombëtar, ashtu edhe për klubin francez, Reims.

Pas kësaj ndërhyrjeje Arbëri iu drejtua të gjithë tifozëve dhe dashamirëve të tij nëpërmjet profilit të tij në rrjetet sociale, duke i falënderuar të gjithë për përkrahjen.

“Operacioni shkoi mirë, fjalët tuaja të mira dhe përkrahja do të më kthejnë më të fortë se kurrë. AZ17 dhe AZ10 po rimbushen”, ka shkruar Arbër Zeneli në llogarinë personale në Instagram.

Sipas parashikimeve të mjekëve, Zeneli do të mungojë në fushën e gjelbër nga shtatë deri nëntë muaj.

Federata e Futbollit e Kosovës, presidenti Agim Ademi, Komiteti Ekzekutiv dhe i gjithë stafi i Kombëtares i dëshirojnë Arbërit shërim të shpejtë dhe e inkurajojnë atë që këtë periudhë të riaftësimit ta kalojë me kurajë, duke i shprehur mbështetjen e plotë.

Rikthim të shpejtë kampion! Dardanët të presin edhe më të fortë pas disa muajsh.