25 qershor, 2019 – Feronikeli është kualifikuar në finale të rrethit paraeliminator të Ligës së Kampionëve që po zhvillohet për herë të parë në Kosovë. Skuadra kampione e Kosovës në gjysmëfinale e ka mundur kampionin e Gjibraltarit, Lincoln Red Imps, me rezultat 1:0. Deri te kjo fitore e rëndësishme skuadra nga Drenasi ka arritur pas një loje mjaft të fortë, ndonëse golin e fitores e arriti qysh në minutën e 3-të të ndeshjes. Ishte Mendurim Hoti, ai, i cili zhbllokoi shifrat e ndeshjes me një gjuajtje të saktë nga distanca, që njëherësh doli të ishte edhe goli i fitores. Në vazhdim të ndeshjes Feronikeli e pati edhe një rast të mirë shënimi, kurse më pas ishin mysafirët që e kërkuan më shumë golin e barazimit, por mbrojtja e skuadrës së drejtuar nga Zekirja Ramadani ishte në nivel të detyrës. Në ndeshjen finale që zhvillohet të premten, në stadiumin “Fadil Vokrri”, në orën 20:45, Feronikeli do të ballafaqohet me kampionin e Andorrës, Santa Coloma, e cila sot e mposhti kampionin e San Marinos, Tre Penne.