Dy vjet më parë u nda nga ne, miku dhe kolegu ynë i respektuar, Agim Maloku, vetëm një vit pasi e finalizuam misionin për të qenë të barabartë me të gjitha shtetet  në familjen e madhe të futbollit botëror.

Agimi u veçua si njëri nga punëtorët më të dalluar të sportit jo vetëm në Prizren, por në tërë Kosovën. Përveç që la gjurmë si futbollist me fanellën e Lirisë, ai, ishte gjithmonë afër futbollit dhe kontribuoi shumë me punën dhe idetë e tij edhe në zhvillimin e Lidhjes Rajonale të Futbollit në Prizren si dhe në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së, duke qenë një punëtor i palodhshëm së bashku me pjesën tjetër të ekipit të FFK-së që e realizuam misionin e vështirë të anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Përveç që e kisha emnak, me Agimin ishim të lidhur ngushtë si shokë të pandarë në shumë ngjarje të futbollit. Ishte optimist i madh për të ardhmen e ndritur të futbollit të Kosovës dhe e ëndërronte një sukses të madh për Kombëtaren tonë, gjë të cilën tashmë kemi filluar ta realizojmë. Agimin gjithmonë do ta kujtojmë si futbollist dhe punëtor të madh sportiv, i cili pa dyshim la zbrazësi të madhe jo vetëm në familjen e tij, por edhe në komunitetin e futbollit në Prizren e më gjerë.

I përjetshëm kujtimi për TY, Adash!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së