Suksesi i arritur sonte nga KF “Feronikeli” dëshmon se futbolli ynë është në rrugën e duhur. Kalimi në fazën e parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve për klubin nga Drenasi ishte sukses historik, derisa për futbollin tonë një shtytje tutje drejt ngritjes së vazhdueshme të cilësisë dhe organizimit.

Me këtë rast, në emrin tim dhe të KE të FFK-së, përgëzoj drejtuesit, futbollistët dhe tifozët e KF “Feronikeli”  për këtë sukses, duke uruar që ky klub të na përfaqësojë denjësisht edhe në ndeshjen e radhës kundër kampionit të Uellsit.

Të gjithë ishim dëshmitarë se triumfi në mini-turneun paraeliminator të ‘Champions’-it, që për herë të parë u organizua në Kosovë, nuk ishte i lehtë, ngase skuadrat kampione të Gjibraltarit dhe Andorrës u treguan rivale shumë të forta. Megjithatë, vullneti, dëshira dhe shpirti luftarak i kampionëve tonë e solli triumfin e shumëpritur, i cili jo vetëm që i sjell të mira materiale klubit nga Drenasi, por do të ndikojë edhe në ngritjen e koeficientit të ligës sonë në UEFA dhe njëherësh do të nxisë klubet tona për investime edhe më të mëdha në të ardhmen.

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi t’i radhisim sukseset!

Ju priftë e mbara edhe në ndeshjet e radhës!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së