Sot kudo në botë shënohet Dita e Gazetarëve Sportivë. Edhe tek ne komuniteti i gazetarëve sportivë është mjaft i organizuar dhe tash e dy dekada e ka shoqatën e vet. Në këtë ditë të veçantë, në emrin tim dhe në emër të KE të FFK-së por edhe të gjithë komunitetit të futbollit ua përcjell urimet më të sinqerta Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës dhe të gjithë gazetarëve sportivë të gjeneratave të ndryshme, të cilët ndër vite punuan në sensibilizimin e çështjes së futbollit në kohën kur ende nuk ishim të pranuar në UEFA e FIFA.

Tani kur aktivitetet e futbollit janë shtuar dhe kur kemi shumë ndeshje ndërkombëtare, gazetarët sportivë vazhdimisht kanë qenë të përkrahur nga FFK-ja, në mënyrë që t’u lehtësohet puna në pasqyrimin e punës së FFK-së, zhvillimit të futbollit dhe të sukseseve të Kombëtares sonë.   

FFK, si federata më e madhe e sportit në Kosovë inkurajon gazetarët sportivë që të vazhdojnë punën e tyre profesionale dhe me raportimet e tyre të ndihmojnë zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në Kosovë si dhe në eliminimin e çdo pengese që mund të na shfaqet para në synimin tonë të përbashkët për ngritjen e futbollit në një nivel më të lartë.  

Edhe një herë përgëzimet e mia më të sinqerta dhe shpresoj që edhe në të ardhmen bashkëpunimi ynë do të jetë në nivelin më të mirë dhe ju si gazetarë do të keni mundësi të shkruani e raportoni për sa më shumë suksese të Kombëtares sonë.

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së