4 korrik, 2019 – Skuadra kampione e Kosovës në futsall, Liburni nga Gjakova, është përfshirë në fazën e dytë të garave të Ligës së Kampionëve, i cili njihet si “Main Round”. Kësisoj, kampioni i Kosovës falë koeficientit më të mirë të ligës sonë, nuk do të ketë nevojë të luajë në rrethin paraeliminator. Ndeshjet e rrethit paraeliminator në të cilin janë përfshirë 36 skuadra të ndara në nëntë grupe, do të zhvillohet prej 27 gusht deri më 1 shtator, derisa ‘Main Round’ ku do të paraqitet edhe Liburni do të zhvillohet prej 8 deri më 13 tetor. Në shortin e hedhur sot në Nion, skuadra gjakovare është përfshirë në Grupin 7, ku bën pjesë edhe klubi kampion i Bjellorusisë, Stalica Minsk, që njëherësh do të jetë mikpritës i ndeshjeve të këtij grupi, kurse dy skuadrat tjera do të dihen pas ndeshjeve të rrethit paraeliminator. Fituesi i këtij grupi më pas do të ketë mundësinë e paraqitjes në “Elite Round” në muajin nëntor.