25 korrik, 2019 – Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka vizituar sot KF “Istogu”, e ku është pritur nga kryetari i Komunës, Haki Rugova, kryetari i klubit, Fazli Bytyçi dhe anëtarët Avdyl Çeta e Isuf Ibërdemaj si dhe drejtorët komunal të Sportit dhe të Urbanizmit. Me këtë rast, presidenti Ademi ka diskutuar për statusin e klubit me investitorët të cilët po i bëjnë parapërgatitjet për organizimin e klubit bashkë me drejtuesit e Komunës së Istogut. Po ashtu, u vizitua edhe vendi ku së shpejti do të fillojë ndërtimi i stadiumit të ri, për të cilin istogasit presin që ky projekt të realizohet në partneritet me Ministrinë, FFK-në dhe Komunën. Gjithashtu, presidenti Ademi u njoftua nga nikoqirët se shumë shpejtë do të realizohet nisma për krijimin e akteve normative  për shndërrimin si klub privat apo shoqëri aksionare. Presidenti Ademi ua shpjegojë formën dhe mënyrën se si të bëhet organizimi i klubit në bazë të rregulloreve të FFK-së dhe të UEFA-s, si dhe u dha shpjegime për Ligjin mbi Sponsorizim, teksa premtoi se do ta ndihmojë projektin e klubit brenda mundësive të FFK-së.