29 korrik, 2019 – Presidenti Agim Ademi dhe nënkryetari Agim Dibrani kanë zhvilluar sot një takim me ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa. Gjatë këtij takimi u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet FFK-së, MPB-së dhe Policisë për sigurinë në stadiumet e futbollit para fillimit të kampionatit të ri. Me këtë rast krerët e FFK-së shpjeguan para ministrit çështjet e organizimit sa më të mirë për fillimin e garave dhe për nevojën e asistimit të policisë në ndeshjet e kampionatit dhe ndeshjet ndërkombëtare të kombëtares sonë. Presidenti Ademi lavdëroi punën e policisë në raport me futbollin si dhe falënderoj sektorin e policisë që merret me çështjen e sigurimit në ndeshjet e futbollit. Me theks të veçantë u bisedua edhe për ndeshjet e një klubi serb të Mitrovicës së Veriut, që ka paralajmëruar gara të rregullta në kuadër të ligës së Serbisë. Presidenti Ademi u shpreh kategorik që nuk lejohet as me aktet normative të FFK-së e as me rregullat e UEFA-s që një shtet tjetër apo federatë e shtetit fqinj të organizojë gara kampionale në shtetin tjetër. Po ashtu krerët e FFK-së kërkuan nga ministri që të ushtrojë ndikimin e tij dhe mos të lejojë që të shkelen këto rregulla. Ata u dakorduan që të bëjnë veprime të përbashkëta rreth kësaj çështje dhe të parandalojnë këtë dukuri të dëmshme dhe të papranueshme si për FFK-në ashtu edhe për vet shtetin.