30 korrik, 2019 – Kampioni i Kosovës, Feronikeli, është eliminuar nga garat e Europa League, pasi edhe në ndeshjen e kthimit ka pësuar humbje nga kampioni i Sllovakisë, Slovan Bratislava. Pas humbje 2:1 në Bratislavë, skuadra nga Drenasi është mposhtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, me rezultat 0:2, duke i dhënë fund pjesëmarrjes në garat evropiane për këtë edicion. Sllovakët kaluan në epërsi në minutën e 19-të, me golin e shënuar nga Vernon De Marco, derisa fitoren e tyre e vulosi David Holman, në minutën e 54-t. Pas pësimit të golit të dytë skuadra e drejtuar nga Zekirja Ramadani nuk pati më as motiv e as forcë për të ndryshuar rrjedhën e lojës, teksa hasi në një kundërshtar shumë të fortë dhe të disiplinuar taktikisht. Për dallim nga Bratislava ku tifozët sllovakë shfaqën gjuhë urrejtje, në ndeshjen e sotme gjithçka kaloi në frymën sportive nga tifozët e Feronikelit.