30 korrik, 2019 – Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, sot, mbajti mbledhjen e vet të radhës nën drejtimin e presidentit z. Agim Ademi e ku diskutoi për shumë çështje të rëndësishme për futbollin e Kosovës. KE në fillim, shqyrtoi dhe analizoi situatën rreth klubit ë të ashtuquajtur klub i futbollit “Trepça” nga Mitrovica e Veriut, në Divizionin e tretë të Republikës së Serbisë, ndaj për KE-në kjo është e papranueshme, sepse vetëm FFK-ja ka të drejtë që në territorin e Republikës së Kosovës të organizojë garat e futbollit. FFK-ja gjithmonë ka qenë e gatshme të pranojë klubet e minoriteteve në sistemin e saj garues, andaj përpjekjet e Serbisë për të ndërhyrë në sistemin garues të Kosovës, jo vetëm që janë të papranueshme, por FFK-ja do të kërkojë me forcë nga UEFA, FIFA, Ministria e Sportit dhe Policia që të përdorin autoritetin e tyre, që të parandalojnë këto veprime të Serbisë dhe duke i kërkuar Federatës serbe që të ndalojë këto tentime të ndërhyrjes në sistemin garues të Kosovës. Në të njëjtën kohë KE inkurajon komunitetin serb që përmes klubeve të veta të bëhen pjesë e garave të Kosovës sepse kjo do t’u ndihmojë atyre në integrimin e gjithëmbarshëm në shoqërinë kosovare.
KE pati një diskutim të gjerë rreth sistemit të garave për të gjitha rangjet dhe me një pajtueshmëri miratoi sistemin e garave për të gjitha rangjet garuese. Tutje KE shqyrtoi Rregulloren e garave në futbollin e Kosovës dhe pas diskutimeve e miratoi këtë Rregullore. KE emëroi dhe riformatizoi të gjitha Komisionet relevante të FFK-së. Në fund KE shqyrtoi edhe kërkesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi si dhe Projektet zhvillimore infrastrukturore të FFK-së.