21 gusht, 2019 – Sot në ambientet e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë është mbajtur seminari me kontrollorët e referimit. I pranishëm në hapjen e këtij seminari ishte edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili i përgëzoi pjesëmarrësit e këtij seminari për punën e deritanishme, teksa kërkoi përkushtim edhe më të madh në këtë edicion të garave. “Ju jeni një jetë të tërë në futboll dhe secili prej jush e dini punën e juaj për çka jeni të thirrur. Mirëpo, në këtë edicion kemi investime shumë më të mëdha nga klubet dhe cilësia e kampionatit është rritur dukshëm, prandaj secili prej nesh duhet ta japë kontributin e tij për një rrjedhë sa më të mbarë të garave. Edhe gjyqtarët e kanë ngritur nivelin e tyre dhe këtë po e dëshmojnë edhe me paraqitjen e suksesshme në ndeshjet ndërkombëtare. Tani, nga ju kërkoj përkushtim maksimal në punën tuaj dhe t’i notoni saktë e pa anime gjyqtarët në çdo ndeshje. Pra, dua që edhe ju  t’i kontribuoni rregullsisë maksimale të garave në këtë edicion dhe mos të ketë asnjë tolerancë ndaj askujt. Thjesht, vlerësojeni në mënyrë korrekte atë çfarë shihni”, ka theksuar presidenti Ademi para pjesëmarrësve të këtij seminari. Ai tutje ka thënë se ashtu sikurse në segmentet tjera, edhe kontrollorët do t’i nënshtrohen reformave dhe pikërisht seminaret e tilla ndihmojnë në këtë drejtim. Ndërkohë, në këtë seminar ka ligjëruar instruktori i UEFA-s nga FSHF, Sokol Jareci, derisa punimet e seminarit nga afër i ka ndjekur edhe kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve, Përparim Hasani.