28 gusht, 2019 – Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave gjatë ditës së sotme ka mbajtur dy seanca stërvitore. Në seancën e pasdites Kombëtaren e ka vizituar sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, i cili nga afër e ka ndjekur punën e Dardaneve dhe i ka motivuar ato për nismë të mbarë të ciklit të ri kualifikues për Euro 2021. “Kam kënaqësinë që sot të jem afër jush dhe sinqerisht sa herë jam në fushën e gjelbër gjithmonë ndihem mirë. Futbolli i femrave viteve të fundit është shndërruar në prioritet të UEFA-s dhe FIFA-s dhe pikërisht formati i ri i garave kualifikuese e dëshmon këtë. Edhe ne si federatë po bëjmë çmos që së bashku me klubet tona t’i japim hov zhvillimit të futbollit të femrave dhe suksesi i treguar nga Mitrovica dëshmon se kemi ecur para. Tani natyrisht se vëmendja do të ketë tek ju dhe presim që të keni paraqitje sa më të mirë kundër Turqisë. Për një gjë duhet të jeni të bindura se nuk ka kënaqësi më të madhe se sa përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare, andaj duhet të ndiheni të privilegjuara dhe njëherësh ta jepni maksimumin për fanellën e shtetit tuaj. Normalisht se nganjëherë nuk shkon gjithçka ashtu siç e dëshirojmë, por ju si futbolliste duhet ta kryeni punën tuaj dhe sigurisht se edhe përkrahja e tifozëve nuk do të mungojë”, ka theksuar Salihu. Ndërkohë, gjatë stërvitjes së pasdites përzgjedhësja Fazlija me ndihmësit e saj ka punuar në disa aspekte të lojës, teksa të gjitha futbollistet janë në formë të mirë dhe të gatshme për ndeshje.

Deklaruan pas stërvitjes
Kaltrina Biqkaj: Tani jemi kompletuar si ekip dhe po mundohemi të komponohemi sa më mirë dhe t’i mbulojmë ato zbraztësira që janë krijuar me mungesën e disa lojtareve. Duke qenë se është ndeshja e parë e ciklit të ri kualifikues dhe luajmë para tifozëve tanë të gjitha vajzat jemi të bindura se do të bëjmë lojë të mirë dhe në fund edhe do të korrim sukses. Pres që të premten do ta kemi përkrahjen e madhe të tifozëve dhe në fund të mos i zhgënjejmë.

Besiana Reçica: Gjatë tri stërvitjeve të deritashme shihet se kemi një harmoni të madhe në ekip dhe të gjitha futbollistet janë të motivuara për ndeshjen e parë. Ajo çfarë mund të premtoj është se do të japim maksimumin, derisa mbetet të shihet se çfarë do të na sjellë fusha e lojës. Normalisht se e respektojmë Turqinë, por sigurisht se duam që këtë cikël kualifikues ta nisim me fitore. Pres që krahas familjarëve tanë do të kemi përkrahje të madhe edhe nga tifozët.