2 shtator, 2019 – Përzgjedhësi i Kombëtares U21, Rafet Prekazi është paraqitur sot në konferencë për media në prag të grumbullimit të kësaj kombëtareje që nis sot në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kualifikuese për Euro 2021 kundër Anglisë, që zhvillohet më 9 shtator në Hull. Bashkë me përzgjedhësin Prekazi në konferencë ishin edhe futbollistët Eris Abedini dhe Kreshnik Hajrizi.

“Realisht Anglia është kundërshtari ynë më i fortë në këto eliminatore. Në letër ata janë favorit, por fusha jo gjithmonë e ka dëshmuar se është ashtu. Nuk kemi informata për këtë ekip U21 të anglezëve, pasi që është ndërrimi i gjeneratës. Do ta analizojmë lojën e tyre përpara ndeshjes, ngase Anglia zhvillon një tjetër duel para nesh dhe më pas do të shohim për t’i marrë preventivat për këtë duel”, ka deklaruar Rafet Prekazi.

Ndërkohë, Eris Abedini, e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, por ka thënë se sukseset e Kosovës A kanë bërë që edhe konkurrenca në ekipin U21 të rritet. “Anglia është një kombëtare që ka shumë kualitet brenda saj. I njohim disa nga lojtarët që luajnë në Premier League dhe Championship dhe ne e dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë. Mund të ju them që sukseset e Kombëtares A kanë ndikuar të shumë futbollistë të zgjedhin kombëtaren e Kosovës përpara kombëtareve të tjera”, ka theksuar Eris Abedini.

Ndërkaq, edhe Kreshnik Hajrizi është i vetëdijshëm për forcën e “Tre Luanëve”, por shpreson për më të mirën e kombëtares sonë. “Do të jetë një ndeshje që mundemi me tregu kualitetet tona. Anglia është një ekip shumë i fortë, por ne duhet të tregojmë kualitetet që kemi. Kemi vetëbesim pasi që futemi në këtë ndeshje nga pozita e parë me pike maksimale”, ka thënë Hajrizi.

Për më shumë ndiqeni videon nga konferenca